Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka mbajtur të hënën, më 2 nëntor, mbledhjen e parë, ku anëtarët janë zotuar për hetim të hollësishëm të veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e saj.

Gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e partive politike kanë theksuar rëndësinë e zbardhjes së përgjegjësive institucionale dhe politike, duke kërkuar që hetimi parlamentar të mbështetet në fakte dhe prova.

Kryetari i Komisionit, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka propozuar që anëtarët t’i dorëzojnë deri të mërkurën idetë dhe propozimet e tyre për hapat e ardhshëm të hetimit.

Sipas propozimit të tij, të premten, më 6 nëntor, Komisioni pritet të nisë hartimin e planit të veprimit, i cili do të përcaktojë mënyrën e zhvillimit të hetimit parlamentar.

Anëtarët kërkojnë përgjegjësi mbi bazën e provave

Nënkryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar se hetimi do të zhvillohet me profesionalizëm dhe përgjegjësi, duke shqyrtuar çdo veprim apo mosveprim të institucioneve që kishin obligime ligjore në trajtimin e rastit.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve fillon që nga momenti kur një grua kërkon mbrojtje, e jo vetëm pasi ndodh një vrasje.

Ajo ka kërkuar që hetimi të identifikojë përgjegjësitë institucionale dhe politike, pa ndërhyrë në kompetencat e organeve të drejtësisë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka vlerësuar se anëtarët e Komisionit kanë detyrimin të punojnë me përkushtim për të shqyrtuar trajtimin institucional të rastit të Arlindës.

Për angazhim në një proces të drejtë dhe të bazuar në interesin publik janë zotuar edhe anëtarët Adelina Tërshani dhe Eman Rrahmani.

Komisioni kërkon raportet e dy ministrive

Gjatë mbledhjes është kërkuar sigurimi i raporteve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim shqyrtimin e veprimeve që institucionet kanë ndërmarrë para dhe pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Komisioni do të ketë mundësi të analizojë mënyrën se si janë trajtuar denoncimet, kërkesat për mbrojtje dhe paralajmërimet për rrezikun ndaj jetës së saj.

Ky organ parlamentar është themeluar më 29 tetor, me 90 vota për në Kuvendin e Kosovës. Ai përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh.

Hetimi përfshin edhe trajtimin institucional të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje, me synimin për të identifikuar përgjegjësitë dhe mangësitë e mundshme në zbatimin e ligjit.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Para vrasjes, ajo u ishte drejtuar institucioneve, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj dhe duke kërkuar mbrojtje.

Mbledhja e ardhshme e Komisionit është caktuar për të premten, kur pritet të diskutohen propozimet për planin e hetimit parlamentar.