Protesta e paralajmëruar për të martën, më 3 nëntor, kundër kryeministrit Albin Kurti është anuluar. Organizatori i saj, Durim Aliu, ka bërë të ditur se tubimi nuk do të mbahet për shkak të procedurave të njoftimit në Policinë e Kosovës.
Aliu ka deklaruar se nuk kanë marrë leje nga Policia, e cila, sipas tij, ka kërkuar që protesta të lajmërohet të paktën 96 orë përpara mbajtjes së saj.
“Jo, nuk ka protestë sot, pasi nuk kemi marrë leje nga Policia. Kanë kërkuar që protesta të lajmërohet 96 orë më herët”, ka deklaruar Aliu.
Ligji për Tubime Publike, Nr. 08/L-166, parasheh që organizatorët duhet ta njoftojnë Policinë e Kosovës për tubimet publike më së voni 96 orë para mbajtjes së tyre, me përjashtime të caktuara për tubimet urgjente dhe spontane.
Kujtojmë se më 1 nëntor, një grup qytetarësh protestuan në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti.
Protesta ishte organizuar po ashtu nga Durim Aliu, i cili kishte përmendur gjendjen ekonomike në vend si një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë.
Pavarësisht pjesëmarrjes së vogël në protestën e së dielës, Aliu kishte paralajmëruar vazhdimin e tubimeve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëheqjen e Kurtit.
Ende nuk është bërë e ditur nëse organizatorët do të caktojnë një datë tjetër për protestën e anuluar.






