Një detaj nga seanca e 16 shtatorit 2026, kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, ka dalë në pah përmes transkriptit të seancës.
Në dokumentin që pasqyron zhvillimin e seancës, shihet se mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi kishte shprehur dëshirën që të mos fotografohej.
Këtë e kishte bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, në fillim të seancës, përpara se të niste leximi i aktgjykimit.
Çfarë tha gjyqtari Charles Smith?
Në fillim të seancës, gjyqtari Smith u kishte dhënë fotografëve pak kohë për të realizuar fotografitë e planifikuara brenda sallës së gjyqit.
Ai kishte sqaruar njëkohësisht se mbrojtja e Thaçit kishte zgjedhur të mos fotografohej.
Sipas transkriptit, gjyqtari kishte bërë të ditur se fotografët ishin në dijeni të këtij qëndrimi.
Ky komunikim është regjistruar në faqen e parë të transkriptit zyrtar të seancës së 16 shtatorit, e cila kishte nisur në orën 10:00.
Në dokument nuk jepet ndonjë shpjegim për arsyen e këtij qëndrimi të mbrojtjes.
Çfarë ndodhi në seancën e 16 shtatorit?
Gjatë asaj seance, trupi gjykues shpalli aktgjykimin e shkallës së parë në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.
Gjykata i shpalli fajtorë për akuza që lidhen me krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të kundërshtohet përmes procedurës së apelit.
Paneli i Apelit ka caktuar 27 nëntorin 2026 si afat për dorëzimin e njoftimeve të apelit.
Detaji lidhur me fotografimin nuk ndryshon përmbajtjen e aktgjykimit, por tregon një nga kërkesat e mbrojtjes gjatë organizimit të seancës së shpalljes së tij.







