Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime për gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë, duke kritikuar gjuhën e ashpër dhe akuzat e përdorura nga kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të lartë qeveritarë ndaj gazetarëve.
Në Raportin për Kosovën për vitin 2026, të publikuar të mërkurën, më 4 nëntor, theksohet se pavarësisht garancive ligjore për lirinë e shprehjes, vendi duhet të përmirësojë kushtet për funksionimin e lirë dhe të pavarur të mediave.
Sipas raportit, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike, verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, që përbëjnë një rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.
Në mesin e incidenteve të evidentuara përmenden pengesat që zyrtarët e sigurisë u kanë shkaktuar gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe deklaratat akuzuese dhe gjuha e ashpër e zyrtarëve qeveritarë, përfshirë kryeministrin.
Komisioni Evropian kërkon që zyrtarët publikë të shmangin deklaratat që shënjestrojnë ose diskreditojnë gazetarët dhe që rastet e sulmeve e frikësimit ndaj tyre të dënohen.
Raporti përmend gjithashtu arrestimin dhe ndalimin e përkohshëm të një kameramani nga Policia e Kosovës, si dhe ndalimin e të paktën katër personave të dyshuar për kërcënime ndaj gazetarëve.
Shqetësim tjetër mbeten ngacmimet në internet dhe publikimi i të dhënave personale të gazetarëve, të cilat ndikojnë në sigurinë dhe ushtrimin e lirë të profesionit.
Kritika janë dhënë edhe për legjislacionin që rregullon sektorin medial. Komisioni vlerëson se Kosova ende nuk i ka harmonizuar plotësisht ligjet me standardet e Bashkimit Evropian, ndërsa mbeten të pamiratuara dispozita të rëndësishme për transmetuesin publik dhe mbrojtjen e burimeve gazetareske.
Pas shfuqizimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese, kërkohet hartimi i një ligji të ri që respekton standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Raporti trajton edhe vështirësitë financiare të Radio Televizionit të Kosovës, mungesën e transparencës në pronësinë e mediave dhe kushtet e dobëta të punës së gazetarëve.
Komisioni Evropian thekson se gazetarët vazhdojnë të përballen me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe pengesa në sigurimin e dokumenteve publike.
Megjithatë, si zhvillim pozitiv vlerësohet funksionalizimi i bordeve të RTK-së dhe KPM-së, ndonëse proceset e emërimeve kanë qenë objekt kritikash për transparencën.






