Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka komentuar dënimet ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke deklaruar se ato janë vendime gjyqësore dhe jo politike.

Gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, të enjten në Prishtinë, Cassis theksoi se Zvicra i mbështet gjykatat ndërkombëtare dhe respekton vendimet e tyre.

I pyetur për dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kryediplomati zviceran tha se vendimet gjyqësore nuk duhet të trajtohen si vendime politike.

“Sepse është vendim i gjykatës dhe nuk është vendim politik”, deklaroi Cassis, duke shtuar se Zvicra i pranon vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe nuk i komenton ato.

Deklarata e tij vjen pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, me të cilin katër ish-drejtuesit e UÇK-së u shpallën fajtorë për krime lufte.

Sipas vendimit të shkallës së parë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.

Trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje si krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të kundërshtohet përmes procedurës së apelit.

Vendimi ka nxitur reagime dhe kundërshtime në Kosovë, ku përfaqësues politikë dhe organizata të dala nga lufta e kanë cilësuar atë të padrejtë, duke kërkuar rishqyrtimin e tij.

Ndërkohë, Cassis po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare në Ballkanin Perëndimor, e cila përfshin edhe Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitës së 5 nëntorit, ai u takua me presidenten Justina Shiroka-Pula dhe homologun e tij kosovar, Glauk Konjufca. Në agjendën e vizitës janë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, bashkëpunimi ekonomik dhe mbështetja për dialogun Kosovë-Serbi.

Cassis njëherësh ushtron detyrën e kryesuesit të radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).