Drilon Cokli, vëllai i Erona Coklit, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj në vitin 2024 në Ferizaj, ka rrëfyer dhimbjen e familjes gjatë protestës kundër vrasjes së grave, të mbajtur të shtunën në Prishtinë.

Para protestuesve, ai foli për humbjen e motrës dhe për djalin e saj të vogël, i cili po rritet pa praninë e nënës.

“Çdo vrasje lë pas një familje të shkatërruar, lot dhe dhimbje që nuk shërohen kurrë”, u shpreh Cokli, duke kujtuar ditën e 12 prillit 2024, kur motra e tij humbi jetën.

Ai tha se dhimbja e familjes bëhet edhe më e rëndë sa herë që sheh nipin duke e kujtuar dhe kërkuar nënën e tij.

“Si mund t’ia shpjegosh një fëmije pse nëna e tij nuk do të kthehet më?”, pyeti ai gjatë fjalimit.

Cokli shprehu pakënaqësinë e familjes me dënimin prej 24 vjetësh burgim të shqiptuar ndaj Valon Aliut, ish-bashkëshortit të Eronës.

Sipas tij, asnjë dënim nuk mund ta kthejë motrën, por familja kërkon që jeta e saj dhe dhimbja e të afërmve të trajtohen me seriozitet nga institucionet e drejtësisë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që vrasjet e grave të mos shihen vetëm si lajme që harrohen pas disa ditësh, duke theksuar pasojat e përhershme që këto krime lënë te familjet dhe fëmijët e viktimave.

Në fjalimin e tij përmendi edhe Arlinda Zekajn, duke kërkuar drejtësi për të dhe për të gjitha gratë e vrara në Kosovë.

Erona Cokli, 21-vjeçare, u vra më 12 prill 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, ku kishte shkuar në lidhje me çështjen e kujdestarisë dhe takimeve me djalin e saj.

Gjatë të njëjtit incident ishte plagosur edhe vëllai i saj, ndërsa një zyrtare e Qendrës për Punë Sociale ishte kanosur.

Më 3 prill 2026, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi Valon Aliun me 24 vjet burgim unik në shkallë të parë për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.

Familjarët e Eronës kishin shprehur pakënaqësi me masën e dënimit menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit.

Protesta e 7 nëntorit në Prishtinë u organizua kundër vrasjes së grave dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale, mbrojtje më efektive të viktimave të dhunës dhe drejtësi për familjet e prekura.