Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar ndaj vizitës së përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë, duke e cilësuar atë provokim dhe duke kërkuar llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse për hyrjen e delegacionit.
Ramadani, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka kërkuar të sqarohet se si është mundësuar hyrja e përfaqësuesve politikë serbë në territorin e Kosovës dhe nëse janë respektuar procedurat përkatëse.
Përmes një reagimi në Facebook, ai ka theksuar se përkatësia politike e delegacionit nuk e ndryshon qëndrimin e tij ndaj vizitave që, sipas tij, synojnë provokimin e institucioneve të Kosovës.
“Pavarësisht nëse janë nga Lista e Studentëve, e Vuçiqit, Daçiqit, Vulinit apo dreqit e të birit, politikanët e Serbisë nuk guxon të lejohet të futen në Kosovë për të nxitur e provokuar, fyer e ofenduar shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.
Deputeti ka bërë të ditur se Komisioni Parlamentar për Siguri ka vendosur t’i kërkojë ministrit të Punëve të Brendshme informacion me shkrim lidhur me këtë vizitë.
Ai ka insistuar që sqarimet të jenë të plota dhe të sakta, duke theksuar se Qeveria duhet të japë përgjigje për mënyrën se si është zhvilluar vizita.
Edhe nënkryetari i Komisionit për Siguri, Fadil Hadërgjonaj, ka ngritur shqetësime për mungesën e informatave zyrtare lidhur me hyrjen e delegacionit.
Hadërgjonaj ka kërkuar të sqarohet nëse vizita ishte autorizuar nga institucionet përkatëse, çfarë procedurash ishin ndjekur dhe cilët mekanizma kishin përgjegjësi për monitorimin e saj.
Ndërkohë, kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se pret informacione nga Ministria e Punëve të Brendshme ose Ministria e Punëve të Jashtme.
Përfaqësuesit e Listës Studentore, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, vizituan Kosovën më 8 nëntor, ku zhvilluan takime me drejtues të Kishës Ortodokse Serbe.
Në Manastirin e Graçanicës, delegacioni u prit nga mitropoliti Teodosije, me të cilin diskutoi për gjendjen e komunitetit serb, sigurinë, arsimin dhe mbrojtjen e objekteve fetare ortodokse.
Më pas, përfaqësuesit vizituan Manastirin e Deçanit, ku u takuan me igumenin Sava Janjiq dhe murgjit e manastirit. Vizita përfshiu edhe objekte fetare në Prizren.
Në njoftimet e tyre publike, përfaqësuesit e Listës Studentore kanë përdorur emërtimin “Kosovë dhe Metohi”, ndërsa kanë paralajmëruar angazhim për mbrojtjen e interesave të komunitetit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe.
Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse delegacioni ka hyrë në Kosovë pa autorizimin e nevojshëm apo nëse është shkelur ndonjë procedurë ligjore.
Institucionet përgjegjëse pritet të japin sqarime lidhur me rrethanat e hyrjes dhe zhvillimit të vizitës.






