Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për drejtësinë ndërkombëtare dhe mundësinë e apelimit të vendimeve gjyqësore, pasi gjatë Forumit të Paqes në Paris është pyetur për zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë diskutimit të mbajtur të martën, më 10 nëntor, një nga pjesëmarrësit e pyeti Kurtin se çfarë roli mund të ketë një qeveri në mbështetjen e procedurave të drejtësisë penale ndërkombëtare, duke marrë parasysh zhvillimet në Hagë dhe perceptimin e qytetarëve të Kosovës për këtë proces.

Në përgjigjen e tij, Kurti theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të mjeteve ligjore për kundërshtimin e vendimeve gjyqësore.

“Nëse nuk jeni të kënaqur me aktgjykimin, bëni të gjitha përpjekjet e nevojshme për të paraqitur apel dhe mos ndaloni kurrë së besuari në të vërtetën dhe së punuari për drejtësi”, deklaroi Kurti.

Kryeministri e kufizoi përgjigjen e tij në këtë mesazh, pa dhënë hollësi për veprimet konkrete që institucionet e Kosovës mund të ndërmarrin gjatë procedurës së apelimit.

Deklarata vjen pas aktgjykimit të 16 shtatorit 2026 të Dhomave të Specializuara, me të cilin katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u shpallën fajtorë për krime lufte.

Në shkallën e parë, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Katër të akuzuarit u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në procedurën e apelit.

Kurti e kishte kundërshtuar publikisht këtë vendim në ditën e shpalljes së tij, duke e cilësuar të padrejtë dhe duke kërkuar që të ndryshohet në Apel.

Çështja e aktgjykimit ishte diskutuar edhe më 9 nëntor, gjatë takimit të Kurtit me personalitete franceze që kanë kontribuuar në mbështetjen e Kosovës ndër vite.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim ishte folur për vendimin e 16 shtatorit dhe përpjekjet për kundërshtimin e tij në procedurën e apelimit.

Kurti po merr pjesë në edicionin e nëntë të Forumit të Paqes në Paris, i cili zhvillohet më 10 dhe 11 nëntor 2026, me fokus bashkëpunimin ndërkombëtar, sigurinë dhe ndërtimin e paqes.

Gjatë forumit, ai ka marrë pjesë në diskutime për rindërtimin e shoqërive pas luftës dhe rëndësinë e demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe institucioneve funksionale.