Komuna e Podujevës ka pranuar një donacion prej rreth 200 pajisjesh elektronike nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), të cilat do të shpërndahen në institucionet arsimore të komunës.
Donacioni është realizuar pas miratimit të kërkesës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, drejtuar kësaj agjencie.
Në mesin e pajisjeve të pranuara janë televizorë, laptopë, monitorë, shtëpiza kompjuterike, printerë, pajisje DVR, tastiera dhe mausë, të cilat synojnë të përmirësojnë kushtet teknologjike në shkolla.
Në ceremoninë e pranimit të pajisjeve ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica.
Sipas njoftimit, pajisjet do të shpërndahen gjatë ditëve në vijim në institucionet arsimore të komunës, me qëllim të mbështetjes së procesit mësimor dhe përmirësimit të kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Ende nuk është bërë e ditur se cilat shkolla do të përfitojnë nga ky donacion dhe sa pajisje do t’i ndahen secilit institucion.






