Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar të enjten, më 12 nëntor, para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të korporatës në Prishtinë, duke kërkuar rritjen e pagave dhe realizimin e pagës së 13-të.

Protesta, e organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, ka nisur në orën 11:00, në shenjë pakënaqësie me nivelin aktual të pagave dhe mosrealizimin e kërkesave të paraqitura më herët nga përfaqësuesit e punëtorëve.

Përveç rritjes së pagave, protestuesit kërkojnë edhe nivelizimin e tyre për të gjithë punonjësit, përmirësimin e kushteve të punës dhe vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës.

Sipas sindikatës, punëtorët e KEK-ut përballen çdo ditë me kushte të vështira në miniera dhe termocentrale, ku janë të ekspozuar ndaj pluhurit, temperaturave ekstreme dhe rreziqeve të tjera.

Përfaqësuesit sindikalë vlerësojnë se kompensimi aktual financiar nuk pasqyron vështirësitë dhe përgjegjësitë me të cilat përballen punonjësit gjatë kryerjes së detyrave.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, përmes thirrjes për protestë kishte theksuar se punëtorët nuk po kërkojnë privilegje, por paga dinjitoze dhe respektimin e të drejtave të tyre.

“Nuk kërkojmë lëmoshë e as privilegje, por dinjitetin që na takon për punën që bëjmë”, thuhej në komunikatën e sindikatës.

Kërkesat për rritjen dhe nivelizimin e pagave, si dhe pagesën e 13-të për vitin 2026, i ishin drejtuar menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut më 19 tetor.

Sipas sindikatës, mungesa e një përgjigjeje pozitive dhe e zgjidhjeve konkrete për këto kërkesa ka çuar në organizimin e protestës.

Në organizim janë ftuar punëtorët e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, si dhe të Sigurisë Fizike.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mesazhe për rritjen e pagave, respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Sindikata ka kërkuar nga drejtuesit e korporatës që shqetësimet e punëtorëve të trajtohen me seriozitet dhe të ndërmerren hapa konkretë për përmbushjen e kërkesave të tyre.