Gjyqtari kanadez Christopher Gosnell do të shpallë të martën, më 17 nëntor 2026, aktgjykimin në procesin e dytë gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Seanca është caktuar të fillojë në orën 10:00, ndërsa vendimi do të merret nga Gosnell, i cili është gjyqtari i vetëm në këtë çështje.

Kush është Christopher Gosnell?

Christopher Gosnell është gjyqtar nga Kanadaja, me më shumë se 20 vjet përvojë në të drejtën penale ndërkombëtare.

Ai u emërua në listën e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara më 11 shtator 2025, ndërsa më 12 nëntor të po atij viti iu caktua gjykimi i çështjes kundër Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë.

Gjatë karrierës së tij, Gosnell ka punuar në role të ndryshme juridike, përfshirë përfaqësimin e mbrojtjes, viktimave dhe prokurorisë në procese ndërkombëtare.

Ai ka ushtruar detyra në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Nga viti 2021 deri më 2024, Gosnell ka shërbyer si zyrtar i lartë ligjor në Mekanizmin e Pavarur Hetimor të Kombeve të Bashkuara për Mianmarin.

Më herët, gjatë periudhës 2003–2006, ka qenë zyrtar ligjor në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën.

Gjyqtari ka përfunduar studimet në Universitetin e Oksfordit, Universitetin McGill në Kanada dhe Universitetin Columbia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai është gjithashtu pjesë e stafit akademik të Akademisë së Gjenevës për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe të Drejtat e Njeriut.

Për çfarë akuzohet Thaçi në procesin e dytë?

Procesi lidhet me pretendimet e Prokurorisë së Specializuar për pengim të administrimit të drejtësisë dhe ndërhyrje të dyshuar te dëshmitarët.

Përveç Thaçit, në këtë çështje janë të akuzuar edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Sipas aktakuzës, Thaçi dyshohet se gjatë vitit 2023 u ka dhënë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Prokurorisë disa personave që e kishin vizituar në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Prokuroria pretendon se këto informacione janë përdorur në përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e personave të përfshirë në procesin tjetër gjyqësor.

Thaçi përballet me akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Prokuroria kërkon gjashtë vjet burgim

Gjatë fjalëve përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin.

Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun janë kërkuar nga tre vjet burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin nëntë muaj.

Nga ana tjetër, ekipet mbrojtëse kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë kërkuar lirimin e të akuzuarve.

Procesi gjyqësor nisi më 27 shkurt 2026, ndërsa shqyrtimi i provave përfundoi më 5 gusht. Pas deklaratave përmbyllëse, gjyqtari Gosnell e shpalli të mbyllur çështjen më 14 shtator.

Aktgjykimi i 17 nëntorit do të jetë i shkallës së parë dhe do të shpallet në seancë publike, e cila do të transmetohet edhe në gjuhën shqipe.

Ky proces është i ndarë nga gjykimi për krime lufte ndaj Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe gëzojnë prezumimin e pafajësisë për akuzat e këtij procesi deri në vendim përfundimtar.