Përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) janë mbledhur të martën në zyrat qendrore në Prishtinë, ku po përcjellin shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë në Hagë.

Aktgjykimi në procesin e dytë ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit është caktuar të shpallet më 17 nëntor 2026, duke filluar nga ora 10:00.

Ky proces gjyqësor lidhet me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë, përfshirë përpjekjet e dyshuara për të ndikuar në dëshmitarët e Prokurorisë së Specializuar.

Ndërkohë, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se organizata nuk është optimiste për vendimin që pritet të merret nga Dhomat e Specializuara.

Gucati ka shprehur shpresën që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm, duke kërkuar që gjykata ta mbështesë vendimin në prova dhe dëshmi.

Sipas tij, besimi i veteranëve në Gjykatën Speciale është dëmtuar pas aktgjykimit të mëparshëm ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Ai nuk ka përjashtuar as mundësinë e organizimit të protestave, duke theksuar se vendimet për hapat e ardhshëm do të diskutohen brenda organizatës.

Procesi i dytë ndaj Thaçit

Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dyshohet se gjatë vitit 2023 u ka përcjellë informacione konfidenciale për dëshmitarë të Prokurorisë personave që e kishin vizituar në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Prokuroria pretendon se këto informacione ishin pjesë e përpjekjeve për të ndikuar në dëshmitë e personave të përfshirë në procesin gjyqësor për krime lufte.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Në këtë çështje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me gjashtë vjet burgim për Thaçin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tij nga akuzat.

Procesi është i ndarë nga gjykimi për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në të cilin më 16 shtator u shpall aktgjykimi i shkallës së parë.

Shpallja e aktgjykimit të sotëm po përcillet me vëmendje edhe nga përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së, të cilët kanë shprehur vazhdimisht kritika ndaj funksionimit të Dhomave të Specializuara.