Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mbërritur të mërkurën në Prishtinë, pas autorizimit për një vizitë të përkohshme humanitare nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Krasniqi ndodhet në shtëpinë e tij në lagjen Velania, ku janë vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për të siguruar zonën gjatë qëndrimit të tij.
Në pamjet e publikuara nga vendngjarja shihen automjetet e EULEX-it, pjesëtarët e sigurisë dhe prania e Policisë së Kosovës në afërsi të shtëpisë.
Sipas informacioneve të publikuara, ekipet e EULEX-it pritet të largohen nga objekti, ndërsa sigurimi i zonës do të vazhdojë nga Policia e Kosovës.
Familjarët kanë kërkuar qetësi dhe respektim të privatësisë gjatë kësaj vizite.
Krasniqi pritet të qëndrojë deri në orën 17:00
Vizita e ish-kryetarit të Kuvendit është autorizuar për arsye humanitare, ndërsa sipas informacioneve të raportuara, ajo lidhet me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi.
Deri më tani, nuk janë dhënë hollësi zyrtare për gjendjen e saj shëndetësore.
Krasniqi pritet të qëndrojë në shtëpinë e tij deri rreth orës 17:00, duke kaluar disa orë pranë familjarëve.
Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar autorizimin e vizitës humanitare nën mbikëqyrje, duke sqaruar se ajo organizohet në përputhje me rregullat e gjykatës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Kjo është vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë që nga transferimi i tij në Hagë në nëntor të vitit 2020.
Vizitën e parë e kishte realizuar në tetor të vitit 2024, pas vdekjes së vëllait të tij.
Më 16 shtator 2026, Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim në shkallë të parë në procesin për krime lufte. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet.
Vizita e sotme është e përkohshme dhe nuk nënkupton lirimin e tij nga paraburgimi.






