Loja e shumëpritur Grand Theft Auto VI (GTA 6) ka shënuar një nisje historike në tregun e videolojërave, duke gjeneruar rreth 2.36 miliardë dollarë të ardhura dhe duke arritur në afro 24.6 milionë kopje të shitura deri në fund të ditës së parë të lansimit.
Sipas kompanisë së analizave Sensor Tower, deri në mbrëmjen e 19 nëntorit janë shitur rreth 24.58 milionë kopje të lojës. Këto vlerësime përfshijnë edhe porositë e bëra para lansimit, ndërsa shifrat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Rockstar Games apo kompania mëmë Take-Two Interactive.
Nëse konfirmohen, këto rezultate do ta vendosnin GTA 6 në mesin e lansimeve më të suksesshme në historinë e industrisë së argëtimit.
Për krahasim, Grand Theft Auto V, i publikuar në vitin 2013, kishte gjeneruar mbi 800 milionë dollarë në 24 orët e para. Shifrat e vlerësuara për GTA 6 janë pothuajse trefish më të larta.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se rreth 75 për qind e kopjeve të shitura janë regjistruar në PlayStation 5, ndërsa pjesa tjetër në konzolat Xbox Series X dhe Series S.
Lansimi zyrtar i GTA 6 u bë më 19 nëntor 2026, pas 13 vjetësh pritjeje nga publikimi i lojës paraprake. Loja i rikthen lojtarët në Vice City, një qytet imagjinar i frymëzuar nga Miami, ndërsa ngjarja zhvillohet rreth dy personazheve kryesore, Lucia dhe Jason.
Interesimi për lojën kishte qenë jashtëzakonisht i madh edhe para publikimit. Drejtuesit e Take-Two Interactive e kishin përshkruar kërkesën për porositë paraprake si të paprecedentë.
Megjithatë, kompania ende nuk ka publikuar të dhënat përfundimtare të shitjeve, prandaj shifrat prej 2.36 miliardë dollarësh dhe 24.58 milionë kopjesh mbeten vlerësime të pavarura.






