Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se një vendim i tillë do ta forconte rendin ndërkombëtar dhe do t’i kundërshtonte argumentet e presidentit rus, Vladimir Putin.
Në një opinion të publikuar të premten, më 20 nëntor, në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka argumentuar se pavarësia e Kosovës nuk mund të krahasohet me aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Ai ka rikujtuar se Zelensky, gjatë vizitës në Beograd në gusht të këtij viti, kishte përsëritur qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës.
Kurti ka theksuar se, pavarësisht këtij qëndrimi, Kosova ka vazhduar ta mbështesë Ukrainën përballë agresionit rus, duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore, duke strehuar gazetarë ukrainas dhe duke kontribuar me ndihmë e trajnime ushtarake.
Kryeministri ka kundërshtuar pretendimet e Putinit, i cili e ka përdorur rastin e Kosovës për të arsyetuar veprimet e Rusisë në Krime.
Sipas Kurtit, pavarësia e Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë historik, që përfshiu luftën, ndërhyrjen e NATO-s, administrimin ndërkombëtar dhe negociatat për statusin përfundimtar.
Ai ka rikujtuar edhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Kurti ka vlerësuar se njohja e Kosovës nga Ukraina do ta kundërshtonte drejtpërdrejt përpjekjen e Putinit për t’i paraqitur pavarësinë e Kosovës dhe aneksimin e Krimesë si raste të ngjashme.
Në argumentimin e tij, ai ka theksuar se pushtimi i një territori përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me të drejtën e një populli për vetëvendosje.
Duke iu drejtuar Zelenskyt, Kurti ka shkruar:
“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një nder për ne, por sepse kjo do të forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur”.
Ai ka shtuar se Kosova dhe Ukraina ndajnë synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, ndërsa njohja e Kosovës do ta forconte orientimin e tyre të përbashkët.
“Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, e ka përfunduar Kurti opinionin e tij.
Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht mbështetjes që institucionet kosovare i kanë ofruar Kievit që nga fillimi i pushtimit rus.






