Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj kritikave për ndarjen e vetëm 1.5 milionë eurove në Projektbuxhetin e vitit 2027 për ndërtimin e digave, duke deklaruar se mandati aktual qeverisës do të jetë “mandati i digave”.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se pesë diga strategjike janë në faza të ndryshme të përgatitjes dhe projektimit. Sipas saj, këto projekte synojnë krijimin e rezervave të reja ujore për furnizim me ujë të pijshëm, bujqësi dhe energji.
Ministrja ka njoftuar se ndërtimi i katër digave pritet të fillojë gjatë vitit 2028, ndërsa punimet për digën e pestë janë planifikuar për vitin 2029.
Sipas planit të prezantuar nga Pacolli, projektimi përfundimtar i digës së Kuçicës do të përmbyllet gjatë vitit 2027, kur do të hapet edhe tenderi për ndërtim. I njëjti afat është paraparë edhe për digën e Pollatës, për të cilën tashmë ka përfunduar projektimi konceptual.
Ndërkohë, për digat e Desivojcës dhe Firajës kanë përfunduar studimet përgatitore, ndërsa projektet e detajuara pritet të finalizohen gjatë vitit 2027. Punimet për të dyja janë planifikuar të nisin më 2028.
Sa i përket digës së Dragaqinës, ajo ndodhet ende në fazën përgatitore dhe projektuese, ndërsa fillimi i ndërtimit parashihet për vitin 2029.
Pacolli ka deklaruar se financimi i këtyre projekteve do të sigurohet përmes buxhetit të Kosovës, granteve dhe kredive me kushte të favorshme. Ajo ka njoftuar gjithashtu për nisjen e bashkëpunimit me Turqinë në fushën e ekspertizës teknike.
Reagimi i ministres vjen pas kritikave të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka ngritur shqetësime për shumën prej vetëm 1.5 milionë eurosh të paraparë për digat në vitin 2027.
Bajrami e ka krahasuar këtë ndarje me premtimin e Qeverisë për investime prej mbi 400 milionë eurosh në ndërtimin e pesë digave.
Edhe në projeksionet e Projektbuxhetit për vitet 2028 dhe 2029 nuk janë identifikuar ndarje që mbulojnë vlerën e premtuar të këtyre investimeve.
Megjithatë, Pacolli ka këmbëngulur se projektet janë duke u përgatitur dhe se realizimi i tyre do të vazhdojë gjatë viteve të ardhshme.
Afatet e prezantuara nga ministrja janë plane për fillimin e punimeve dhe jo data të konfirmuara për përfundimin e ndërtimit.






