Një lapidar në nder të Jakup Krasniqit do të përurohet të enjten, më 26 nëntor, në hyrje të fshatit Negroc të komunës së Drenasit, vendlindjes së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Ceremonia është planifikuar të fillojë në orën 12:00. Datën dhe orën e përurimit i ka konfirmuar Agron Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit.

Sipas tij, lapidari përmban shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është realizuar me nismën dhe kontributin e banorëve të Negrocit.

Njoftimi për përurimin vjen pak ditë pas përfundimit të vizitës humanitare të Krasniqit pranë familjes së tij në Prishtinë.

Dhomat e Specializuara konfirmuan më 21 nëntor se Krasniqi ishte kthyer në Hagë. Vizita e tij në Kosovë ishte autorizuar nga Trupi Gjykues për arsye humanitare dhe ishte zhvilluar nën mbikëqyrje.