Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Arkitekturës 2026, ku ka vlerësuar trashëgiminë arkitekturore të vendit dhe kontributin e profesionistëve në zhvillimin e qyteteve.
Aktiviteti është organizuar nga Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK), ndërsa presidentja ka theksuar se arkitektura nuk kufizohet vetëm në projektimin dhe ndërtimin e objekteve, por përcakton edhe hapësirat ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe kalojnë një pjesë të madhe të jetës.
Ajo ka vlerësuar se Kosova ka një traditë arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet, duke shtuar se mënyra se si ndërtohet sot do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e brezave të ardhshëm.
Gjatë këtij aktiviteti, Shiroka Pula ka përgëzuar Odën e Arkitektëve për ndarjen e titullit “Anëtar Nderi Post Mortem” për profesorin Bashkim Fehmiu.
Presidentja e ka cilësuar Fehmiun si arkitektin e parë të shkolluar në Kosovë dhe një nga figurat që ndihmuan në formësimin e Prishtinës moderne.
Ndër veprat e tij të njohura janë kampusi i Universitetit të Prishtinës, lagjet Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit, si dhe kontributi në projektimin e Hotelit Grand.
Këto projekte vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit urban dhe arkitekturor të kryeqytetit.
Shënimi i Ditës Botërore të Arkitekturës këtë vit është zhvilluar nën temën “Housing is a Human Right. Build it” (Strehimi është e drejtë njerëzore. Ta ndërtojmë), me fokus te banimi i përballueshëm, zhvillimi urban dhe krijimi i hapësirave më të qëndrueshme për qytetarët.






