Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, mori pjesë në seancat gjyqësore në Nivelles, ku po shqyrtohet roli i Andrija Drashkoviqit në vrasjen e veprimtarit Enver Hadri. Bajrami tha se, edhe 36 vjet pas atentatit në Bruksel, drejtësia për Hadrin dhe familjen e tij mbetet detyrim moral dhe politik.
Ambasadori tha se e përfaqësoi Kosovën në gjykatë për t’i shprehur mbështetje familjes Hadri dhe avokatëve që e përfaqësojnë. Ai falënderoi Belgjikën për këmbënguljen me të cilën institucionet e saj të drejtësisë vazhdojnë ta shqyrtojnë rastin.
“Enveri u vra për punën e tij dhe për atë që përfaqësonte”, shkroi Bajrami. Ai e lidhi vrasjen e veprimtarit me politikën shtypëse të Beogradit ndaj Kosovës dhe rikujtoi se gjykatat belge e kanë lidhur organizimin e atentatit me shërbimin sekret jugosllav.
Pse po rigjykohet Andrija Drashkoviq?
Në vitin 2016, një gjykatë në Bruksel dënoi në mungesë me burgim të përjetshëm tre persona për vrasjen e Hadrit: Bozhidar Spasiqin, Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin. Vukotiqi dhe Drashkoviqi i kundërshtuan vendimet. Në janar të vitit 2025, pas një gjykimi të ri, të dy u dënuan sërish me burgim të përjetshëm.
Më 1 tetor 2025, Gjykata e Kasacionit në Belgjikë e anuloi vendimin ndaj Drashkoviqit. Në shpalljen e fajësisë së tij kishte peshuar dëshmia e një personi që kishte vdekur dhe që mbrojtja nuk kishte mundur ta merrte në pyetje. Sipas Gjykatës së Kasacionit, nga dosja nuk dilte se çfarë masash ishin marrë për ta kompensuar këtë kufizim të mbrojtjes.
Rigjykimi në Nivelles nisi më 13 nëntor 2026 dhe ka në qendër përgjegjësinë individuale të Drashkoviqit. Në seancën e 23 nëntorit, avokatët e familjes Hadri paraqitën argumentet e tyre për rolin që, sipas tyre, ai kishte luajtur në atentat.
Vrasja e Enver Hadrit në Bruksel
Enver Hadri drejtonte Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Më 25 shkurt 1990, ai u qëllua ndërsa priste në semafor në komunën Saint-Gilles të Brukselit. Në veturë kishte dokumente për shqiptarët e vrarë gjatë demonstratave paqësore në Kosovë, të cilat planifikonte t’ia dorëzonte të nesërmen Parlamentit Evropian.






