Një ngjarje e rëndë ka prekur Gjakovën, ku një vajzë vetëm trevjeçare ka humbur jetën pas 28 ditësh trajtimi mjekësor, si pasojë e lëndimeve të pësuara në një aksident trafiku në fund të muajit tetor.
Sipas raportimit të Gazetës Sinjali, vogëlushes do t’i jepet lamtumira e fundit të enjten, më 26 nëntor.
Aksidenti kishte ndodhur më 27 tetor, rreth orës 17:25, në Gjakovë, ku ishin përplasur dy automjete, njëri me targa të Shqipërisë dhe tjetri me targa të Kosovës.
Si pasojë e përplasjes, pesë persona kishin pësuar lëndime trupore, në mesin e tyre edhe vajza e vogël.
Të lënduarit fillimisht ishin dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, vogëlushja ishte transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ajo kishte pësuar lëndime të shumta dhe kishte nevojë për trajtim intensiv mjekësor.
Pas katër javësh trajtimi, më 24 nëntor, vogëlushja nuk arriti t’u mbijetonte lëndimeve. Vdekja e saj është konfirmuar nga ekipi mjekësor, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Njëri nga drejtuesit e automjeteve ishte dërguar në mbajtje pas trajtimit mjekësor, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vazhdojnë.





