Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, më 26 nëntor, në Prishtinë, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.
Aksidenti ka ndodhur në rrugën “Zagrebi”, në lagjen Kodra e Trimave, në afërsi të shkollës Model.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili ka bërë të ditur se informata për aksidentin është pranuar rreth orës 08:00.
Sipas të dhënave fillestare të Policisë, nga përplasja ndërmjet dy mjeteve ka mbetur i lënduar një person, i cili ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Rreth orës 08:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën ‘Zagrebi’ në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë”, ka bërë të ditur Pllana.
Ai ka konfirmuar se me rastin po merret njësia e Trafikut të Kryeqytetit.
Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat që kanë çuar deri te aksidenti, ndërsa nuk ka informacione të hollësishme për shkallën e lëndimeve të personit të përfshirë.
Po ashtu, nuk është konfirmuar nëse personi i lënduar ishte drejtuesi i motoçikletës apo ndonjë pjesëmarrës tjetër në aksident.
Njësitet përgjegjëse të Policisë po merren me rastin për të sqaruar rrethanat e përplasjes dhe për të përcaktuar shkakun e aksidentit.






