Udhëheqësit ushtarakë të Gabonit thonë se e kanë liruar presidentin e rrëzuar, Ali Bongo, nga arresti shtëpiak, ku ka qenë që kur ata morën pushtetin javën e kaluar.
Kjo përfshin lejen për të udhëtuar jashtë vendit për kontrolle mjekësore.
Ai pësoi një goditje në tru në vitin 2018 dhe shëndeti i tij ishte një shqetësim për shumë njerëz në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023.
Ushtria mori pushtetin menjëherë pasi ai ishte shpallur fitues i atyre zgjedhjeve, të kontestuara nga opozita.
Njoftimi për lirimin e Bongo vjen pas presionit nga blloku rajonal Eccas dhe vendet fqinje.
Në një komunikatë të lexuar në televizionin shtetëror të mërkurën në mbrëmje, zëdhënësi ushtarak, Kolonel Ulrich Manfoumbi, tha se vendimi për të liruar Bongo ishte për shkak të “gjendjes së tij shëndetësore”.
“Ai mundet, nëse dëshiron, të udhëtojë jashtë vendit për kontrolle mjekësore”, shtoi ai.
Bongo kishte qenë në pushtet në vendin e pasur me naftë që nga viti 2009, kur ai pasoi babain e tij, i cili kishte drejtuar vendin për 41 vjet.
Grusht shteti është dënuar gjerësisht nga Afrika dhe Perëndimi, duke përfshirë edhe Francën, ish-fuqia koloniale e cila kishte lidhje të ngushta me familjen Bongo. Gaboni është suspenduar nga Bashkimi Afrikan.
Menjëherë pas grusht shtetit, Bongo arriti të publikojë një video duke u bërë thirrje mbështetësve në mbarë botën të “bëjnë zhurmë”.
Udhëheqësi i grushtit të shtetit, gjenerali Brice Oligui Nguema, u betua si president i përkohshëm të hënën. Ai u zotua të kthejë vendin në qeverisje civile pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por nuk dha një afat kohor për transferimin e pushtetit.
Junta liroi të burgosur të tjerë politikë, duke përfshirë aktivistin pro-demokracisë dhe udhëheqësin e konfederatës më të fuqishme të sindikatave, Jean Remi Yama.
The post Udhëheqësi i grusht shtetit në Gabon: Presidenti i rrëzuar, Ali Bongo, tani është i lirë appeared first on Klan Kosova.



