Home > Uncategorized > “Llugë” në shkollat e Prishtinës – pesë në renovim, tri në ndërtim (VIDEO)

“Llugë” në shkollat e Prishtinës – pesë në renovim, tri në ndërtim (VIDEO)

//
/
Comments are Off

Me gjithë renovimet që po vazhdojnë, procesi mësimor në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë filloi, ani se nxënësit e saj po mësojnë me orë të shkurtuara në 30 minuta, në 3 ndërrime.

Drejtorja e shkollës, Supije Zhitija, tha se intensiteti i punimeve dhe kapacitetet e angazhuara nga kompania punëkryese, duket që janë më të pakta. Thotë se fuqia punëtore duket që po mungon, dhe punimet paksa po ngecin, raporton Ju Flet Prishtina.

Punimet që pritet të kryhen kah fundi i muajit, ishin të domosdoshme për këtë institucion arsimor, që kishte filluar të amortizohet.

Investime të ngjashme, po ashtu fort të nevojshme, po bëhen edhe në shkollën e mesme elektroteknike “Gjin Gazulli”.

Drejtori i saj, Bujar Gjocaj, tha se renovimet kanë filluar në fillim të muajit gusht.

Normaliteti në këtë shkollë pritet të kthehet më 15 shtator, megjithëse inventarizimi e disa ndreqje do të shtyhen edhe për pak më vonë.

E ndryshe nga të rinjtë e kësaj shkolle, ata të shkollës ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina” u zhvendosën tërësisht në një objekt të ri, atë të “Ahmet Gashit”.

Nga Komuna e Prishtinës bëjnë me dije se në renovim të tërësishëm janë edhe “Naim Frashëri” e “Meto Bajraktari”.

Punimet po vazhdojnë edhe te çerdhja “Xixëllonjat”, shkolla e mesme “7 shtatori”, e ajo në lagjen Qëndresa në Veterrik. Ngjashëm po ndodh edhe te “Nënë Tereza” në Vranidoll, ani se në këtë shkollë u desh të kryhet gjithçka para 1 shtatorit, përderisa “Pavarësisë” në Mati 1 po i punohet aneksi. /Klankosova.tv

The post “Llugë” në shkollat e Prishtinës – pesë në renovim, tri në ndërtim (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights