Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, është shkarkuar sot nga kjo detyrë.
Në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur me të vetmen pikë të rendit të ditës, shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Bajqinovci u shkarkua me 33 vota pro.
Para se të votohej mbi këtë pikë, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, deklaroi përpara asamblistëve se një gjë e tillë po bëhet për t’u rrëmbyer pushteti.
Edhe kryeasamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jeta Rafuna, pohoi një gjë të tillë.
“VV tha se nuk do të bashkëpunojë me PDK në Kryeqytet ndërsa sot me shkarkimin e Kryesuesit të Kuvendit dëshmuan të kundërtën me planin e tyre për ‘’rrëmbimin’ e pushtetit në Kryeqytet.
Plane dhe bashkëpunime të tilla tashmë të hapura nuk na ndalin në rrugën tonë drejt transformimit të Prishtinës” shkroi ajo në Facebook, pas shkarkimit të Bajqinovcit