Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur se është hapur një dritare e re rreth anëtarësimit të shteteve të reja në BE, por që kjo dritare nuk do të qëndrojë e hapur për gjatë kohë.
Kjo mundësi thotë Lajçak se, erdhi vonë, por se tani është në proces e sipër, njofton Klankosova.tv.
Lajçak përmendi edhe Planin e Rritjes, narrativen zyrtare për anëtarësim gradual dhe reformat për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Do të pajtohesha me ju nëse do të ma bëje këtë pyetje para dy vitesh, por jemi në një lojë tjetër tani dhe ministri Kovakoviqi sapo e tha, dhe ka plotësisht të drejtë. Është një momentum i ri, që erdhi vonë, ndoshta 50 vjet me vonesë, por është këtu. BE-ja është serioze sa i përket anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor. BE-ja po merr hapa konkretë, Plani i Rritjes është një nga ta, narrative zyrtare për anëtarësim gradual është tjetër, plani i reformave për secilin partner në Ballkan Perëndimor. BE-ja po bëhet gati për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, që nuk ka qenë ky rasti pesë vite më parë. Por kjo dritare e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë. Kemi motivim më të madh për partnerët tonë tani sesa kemi pasur më herët që ta shfrytëzojnë këtë dritare. Perspektiva e qartë evropian është prej levave që BE-ja ka. Nuk ishte këtu, por është këtu tani”, ka thënë Lajçak në Forumin e Dubrovnikut.
Në këtë Forum po merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
The post Lajçak: BE-ja e gatshme për të pranuar anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, por kjo mundësi nuk do të jetë e hapur përgjithmonë appeared first on Klan Kosova.