Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 bruto në muaj. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 tetor, derisa kryeministri Albin Kurti tha se do të preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat. Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Kreu qeveritar tha se paga minimale prej 264 euro, e rritur para dy viteve por hyrë në fuqi ditë më parë është i vjetërsuar dhe pamjaftueshëm, andaj vlera e pagës minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj.
Kurti: Paga minimale do të jetë 350 euro bruto në muaj
“Procedimi i atëhershëm për pagën minimale ishte 264 euro bruto në muaj që përbënte një rritje substanciale prej 103 për qind për moshat 35 vjeç, krahasuar me pagën minimale paraprake. Por që nga ai propozim, ligji u bllokua në kuvend nga opozita dhe pastaj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese ku u vonua për 11 muaj. Marrë parasysh këtë distancë kohore edhe niveli prej 264 euro sot duket i vjetruar dhe i pamjaftueshëm. Prandaj sot do të miratojmë një nivel tjetër që reflekton zhvillimet e këtyre dy viteve dhe realitetin në shoqëri. Niveli i ri pagës minimale do të jetë 2 euro për orë punë të rregullt apo 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Kjo pagë minimale e re do të prek mbi 150 mijë të punësuar që punojnë me paga më të ulëta se 350 euro në muaj”, tha ai.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se niveli i ri i pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, që kur përkthehet në orar të plotë i bie 350 euro bruto në muaj.
Murati: Paga minimale prej 350 euro do të hyjë në fuqi më 1 tetor
“Ne sot po e vendosim nivelin për dy euro për orë pune të rregullt që kur përkthehet në orar të plotë është 350 euro në muaj. Normalisht që paga minimale e përcaktuar sot do të hyjë në fuqi që nga data 1 tetor, që së paku për 1 muaj t’i japim kohë bizneseve dhe organizatave të tjera që të bëjnë përshtatjet e nevojshme”, theksoi Kurti.
Me miratimin e projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, kryeministri Albin Kurti tha se po përmbushin zotimet qeveritare.
Kurti: Po e arrijmë edhe një zotim të qeverisë
“Po e arrijmë edhe një zotim të qeverisë. Projektligji për sigurime shëndetësorë do të kontribuojë në ruajtjen dhe përparimin e shëndetit e së këndejmi edhe mirëqenien e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë për të ulur pabarazinë e shkaktuara nga shpenzimet shëndetësore”, tha Kurti.
Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se me anë të këtij projektligji rregullohet edhe çështja e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për këtë fondin e sigurimeve shëndetësore.
Vitia: Ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore
“Kjo nismë ligjore është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi por edhe diskutimi…Ky projektligj është hapi themelor drejt krijimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Ky proces është i pakthyeshëm dhe me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcakton rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët dhe veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundjet. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve dhe këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt. Buxheti që ndahet për shëndetësi do t’i shtohet edhe kontributi i secilit prej nesh nga të hyrat personale”, ka thënë Vitia./KosovaPress/