Policia në Danimarkë tha se dy shpërthime ndodhën gjatë natës së shkuar në afërsi të Ambasadës së Izraelit në Kopenhagë.
Përmes një postimi në platformën X, policia tha se nuk ka ndonjë të plagosur, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar.
Policia nuk dha detaje për dëmet që mund të jenë shkaktuar dhe tha se është herët të thuhet nëse shpërthimi kishte cak ambasadën, raporton REL.
Të martën në mbrëmje, zona përreth Ambasadës izraelite në Stokholm u mbyll gjithashtu, pasi u raportua për “një zhurmë të fortë”.
Mediat lokale raportuan më vonë se ndërtesa e ambasadës ishte sulmuar me plumba.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur Izraeli po kryen një operacion tokësor kundër objektivave të Hezbollahut – organizatë e cilësuar si terroriste nga SHBA-ja – në Libanin jugor.