Home > Uncategorized > Alban Ajdini: Gati kurdo që më thërret Kosova

Alban Ajdini: Gati kurdo që më thërret Kosova

//
/
Comments are Off

Me prejardhje është nga Lugina e Preshevës, mirëpo ka lindur në Gjenevë, Zvicër. Alban Ajdini ka kohë që ka zgjedhur ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Aktualisht, Ajdini është pjesë e ekipit të Superligës së Zvicrës, Lausanne-Sport, ndërsa rishtazi ka shënuar edhe golin e parë për klubin, raporton Klankosova.tv.

Për Kosovën, sulmuesi i krahut ka vetëm një paraqitje, teksa përfaqësimin për Përfaqësuesen A dardane e ka nënshkruar më 2023.

Në një bisedë për ueb-faqen e klubit, Ajdini ka thënë se është i gatshëm të mbrojë ngjyrat e Kosovës kurdo që thërritet sërish.

Intervista e plotë:

Alban, pikë së pari, si ndiheni tre muaj pas ardhjes në klub?

Ndihem shumë mirë. Jam ambientuar shumë mirë me klubin dhe ekipin. Shënova golin tim të parë në ligë të shtunën e kaluar në Lucern. Më duhet të vazhdoj të performoj dhe të jem vendimtar.

Në këtë periudhë të ndeshjeve ndërkombëtare, çfarë do të thotë Kosova për ju?

Kosova përfaqëson origjinën time, atë të prindërve të mi. Unë kam lindur në Gjenevë të Zvicrës. Kam jo pak familjarë në juglindje të Kosovës, pak minuta nga kufiri me Serbinë. Mundohem të shkoj sa më shumë, të paktën një herë në vit.

Mbrojtja e ngjyrave të Kosovës ka qenë gjithmonë një zgjedhje e qartë për ju?

Nuk ka qenë kurrë çështje diskutimi. Zgjedhja ime e parë ka qenë gjithmonë Kosova. Kam lindur në Zvicër, në Gjenevë. Për herë të parë jam thirrur nga Kosova me kombëtaren U19, pastaj U21 dhe më pas përzgjedhja ime e parë me kombëtaren A vitin e kaluar. Të përfaqësoj vendin tim është një nga ëndrrat e mia më të mëdha.

Pikërisht, përzgjedhja juaj e parë me Kosovën, na shpjegoni si shkoi.

Veshja e fanellës së Kosovës është krenari për mua, familjen time, miqtë e mi. Nuk e prisja të thirresha, sepse sezoni 2023-24 ishte i vështirë kolektivisht me SLO (FC Stade Lausanne Ouchy). Individualisht isha mirë. Thirrja erdhi si befasi. Isha në shtëpi. Menaxheri i ekipit kishte gjetur numrin e babait tim për t’i treguar thirrjen dhe më pas babai më dha lajmin e mirë. Është një nga momentet më të mira të jetës sime.

Jeni ende në kontakt me federatën?

Trajneri ka ndryshuar. Paraqitjen e parë e kam pasur me trajnerin Primozh Gliha. Sot në krye është trajneri Franco Foda, dikur trajner i FC Cyrihut. Nuk kam domosdoshmërisht kontakte të drejtpërdrejta me të. Jam në kontakt me menaxherin e ekipit të kombëtares A. Kemi shkëmbime të rregullta.

Çfarë mund t’ju urojmë me kombëtaren e Kosovës?

Të performoj me FC Lausanne-Sport, gjë e cila do t’mi hapë sërish dyert e kombëtares. Do të jem gati kur Kosova të më thërrasë sërish. /Klankosova.tv

The post Alban Ajdini: Gati kurdo që më thërret Kosova appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights