Një aksident trafiku ka ndodhur sot pasdite në aksin rrugor Kamenicë-Gjilan, ku një kamionetë ka përfunduar e rrokullisur në rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve nga Policia Rajonale në Gjilan, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50 dhe dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se si pasojë e humbjes së kontrollit, automjeti është rrokullisur në rrugë.
“Me datën 16.05.2025 rreth orës 14:50 në aksin rrugor Kamenicë-Gjilan ka ndodhur një vetë aksident trafiku në të cilin ngasësi i një kamionete me targa vendore dyshohet se si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, humbë kontrollin mbi mjet duke përfunduar i rrokullisur në rrugë.
Fatmirësisht, në këtë aksident nuk ka pasur pasoja të rënda. Ngasësi ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas pranimit të tretmanit mjekësor në emergjencën e Gjilanit, është liruar për në shtëpi.
Hetuesit e njësisë së aksidenteve janë duke e trajtuar rastin për të zbardhur të gjitha rrethanat.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit
/GazetaSinjali