Policia e Kosovës ka konfirmuar një operacion të suksesshëm antidrogë të zhvilluar në Ferizaj, ku janë sekuestruar mbi 4.6 kilogramë kokainë dhe janë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në trafikim të narkotikëve.
Operacioni është realizuar nga Njësia Kundër Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, me mbështetjen e njësive të tjera policore dhe në koordinim të ngushtë me Prokurorinë kompetente. Aksioni ka ardhur pas hetimeve disamujore që çuan në identifikimin e të dyshuarve.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë, ndërsa dy persona të tjerë të dyshuar ndodhen ende në arrati dhe janë në kërkim nga organet e rendit.
Gjatë operacionit janë konfiskuar mbi 4 620 gramë kokainë e paketuar, me një vlerë të konsiderueshme në treg, si dhe një armë zjarri me 14 fishekë, dy telefona celularë, shuma parash në valuta të ndryshme, dy automjete dhe një motor katër rrotësh.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim, ndërsa Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.







