Një person ka mbetur i plagosur rëndë pasditen e 23 janarit 2026 në Sllatinë, në një rast që autoritetet po e trajtojnë si vrasje në tentativë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rreth orës 15:30 Policia e Kosovës ka pranuar një njoftim se në rrugën e Pejës, në afërsi të Villa Motel Pisha, ndodhej një person i shtrirë dhe i gjakosur, fillimisht i dyshuar si pa shenja jete.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se viktima ishte ende gjallë, por në gjendje kritike. Ekipi i Qendrës së Mjekësisë Familjare ka ofruar ndihmën e parë në vend, ndërsa më pas i plagosuri është transportuar për trajtim emergjent në QKUK.
Burime policore bëjnë të ditur se viktima është A.K., rreth 59 vjeç, i cili në momentin e pranimit në QKUK raportohet se ishte pa vetëdije dhe me lëndime serioze.
Në vendngjarje kanë intervenuar njësitë e hetimeve dhe forenzikës së Stacionit Policor në Fushë Kosovë, Njësia për Hetime të Përgjithshme, forenzika rajonale, si dhe prokurori kujdestar.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, viktima dyshohet se kishte mbërritur në lokacion me veturën e tij, në shoqëri të një personi tjetër, i cili dyshohet se është i përfshirë në sulm dhe aktualisht ndodhet në arrati. Në momentin e mbërritjes së policisë, vetura nuk ishte më në vendngjarje.
Hetimet paraprake sugjerojnë se viktima është sulmuar me mjet të mprehtë, duke pësuar plagë të rënda në zonën e fytit dhe kokës.
Policia ka nisur hetimet intensive për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.



