Policia ka arrestuar një 30-vjeçar në Mamurrasi, i cili dyshohet se ka kryer disa vjedhje.
Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, i njëjti dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, ndër to 7 nën kërcënimin e armës.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.
“Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e 30 vjeçarit, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve (dy karburanteve, një dyqani dhe 4 taksistëve nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e një 42 vjeçari, ku gjatë kontrollit të banesës së tij janë gjetur dhe sekuestruar, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.
“42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”. Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit, i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit”.
“Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës. Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas”, thuhet në njoftimin e policisë.




