Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë bërë me dije se në Burgun e Sigurisë së Lartë, rreth orës 22:00, i burgosuri me inicialet E.G. është gjetur me puls të dobësuar në dhomën e tij.
Menjëherë ka reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit.
“Pavarësisht përpjekjeve për ofrimin e ndihmës mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë”, ka thënë ShKK-ja, raporton Klankosova.tv.
Sipas Shërbimit Korrektues, i ndjeri ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit.
Ai ishte pranuar në burg më 15.08.2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë më 01.03.2048.
“Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, u tha në njoftimin e ShKK-së. /Klankosova.tv


