Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur në rrugën “Ilaz Kodra” në Mitrovicë, ku një person ka mbetur i plagosur.
Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti për Klankosova.tv ka bërë të ditur se i plagosuri është i moshës madhore dhe i njëjti është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 14:00, Policia ka pranuar informatën për një person të plagosur nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në rrugën “Ilaz Kodra” në Mitrovicën e Jugut. Viktima i moshës madhore ( mashkull) i plagosur është dërguar në spital për trajtim mjekësor”, thuhet në konfirmim.
Zahiti gjithashtu bëri të ditur se policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë një person, i cili dyshohet se ka plagosur viktimën.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë një person të dyshuar, i cili dyshohet se ka plagosur viktimën. Në cilësinë e provës materiale, nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri. Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e rastit, janë duke vazhduar procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet tutje në konfirmim./Klankosova.tv
Të shtëna me armë në Mitrovicë, dyshohet për një të plagosur



