Komuna e Podujevës, për të martën ftoi seancën solemne për Ditën e Pavarësisë, por në të emri s’iu shkrua përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta.
Në foltore veç kryetari e kryesuesi do ta kenë nderin për nga një fjalë rasti, e të tjerët janë të përjashtuar, raporton Klan Kosova.
Rafet Llapashtica, kryetar i OVL UÇK-së në Podujevë, tha se është dashur që të këmbëngulet që në rend të ditës të ketë fjalën dikush nga kjo organizatë.
Në këtë komunë në bashkëqeverisje është Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK. Por, në një tjetër subjekt politik po thonë se u përjashtuan për inate politike.
Ekrem Rrahmani, asamblist i LDK-së në këtë komunë, tha se është dashur që t’u jepet fjala edhe atyre.
Megjithatë, një arsyetim për veprimin, kryesuesi i KK të Podujevës e dha për Klan Kosovën.
Përmes telefonit, Isak Shabani tha se veç e ka vazhduar traditën e vjetër, ndërkaq tha se edhe një shkak tjetër është tentimi për të qenë në kohë në marshin që do të mbahet të martën në sheshin e Prishtinës nga ora 14:00. /Klankosova.tv


