Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku ka komentuar procesin gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se Prokuroria ka mbajtur në ankth ekipet mbrojtëse për më shumë se pesë vjet.
Ajo u shpreh se Prokuroria ka filluar hetimet mbi disa dëshmitarë që i ka intervistuar më herët, përfshirë vitet 2019 dhe 2020, dhe se aktakuzat e ngritura janë mbështetur në dëshmitë e tyre, por këta dëshmitarë nuk janë thirrur më në sallën e gjykimit.
“Një mënyrë se si Prokuroria i ka mbajtur në ankth ekipet mbrojtëse për kaq shumë vjet është fakti që ka mbi 5 vjet që i ka thirrur për t’i intervistuar, dhe që nga dorëzimi i aktakuzës në nëntor të vitit 2020, tani kaluam 5 vjet e 3 muaj dhe ja ku jemi”.
“Aktakuzën që u ngrit dhe u konfirmua në vitin 2020, e ka ngritur mbi bazën e shumë dëshmive që i ka ftuar më herët dhe i ka intervistuar në Hagë dhe kudo tjetër. Por më pas, ata dëshmitarë nuk janë thirrur më në këtë proces gjyqësor”, tha Mujku e cila gjendet në Hagë për ta përcjellë procesin që nga java e kaluar.
Mujku theksoi gjithashtu se ky vendim i Prokurorisë ka pasur një qëllim të qartë: “Ata e dinin se dëshmitarët do të shkatërronin rastin e prokurorisë dhe nuk do të vërtetonin se UÇK-ja ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Prokuroria e Specializuar është mbështetur në ato dëshmi të viteve paraprake, 2020 e më poshtë, sidomos në 2019, dhe nuk i ka sjellë më ata dëshmitarë në sallën e gjykimit, për faktin se ata e dinin që këta dëshmitarë do të shkatërronin rastin e prokurorisë dhe nuk do të vërtetonin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale”, theksoi gazetarja e Klan Kosovës në “Rubikon” nga Haga.


