Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar ndryshime në Kushtetutë në mënyrë që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga Kuvendi, siç ndodh aktualisht. Ajo ka bërë të ditur se tashmë ka proceduar propozimin për amendamente kushtetuese që do ta mundësonin këtë ndryshim.
Sipas Osmanit, një ndryshim i tillë do të ndihmonte në shmangien e bllokadave politike që shpesh ndodhin gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit në Kuvend. Ajo vlerëson se vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve do ta rriste legjitimitetin demokratik të këtij institucioni dhe do ta forconte besimin e publikut ndaj tij.
Aktualisht, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga deputetët e Kuvendit. Kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash nga 120 deputetët.
Kërkesa për zgjedhjen e presidentit nga populli është diskutuar edhe më herët në skenën politike në Kosovë, pasi shumë analistë dhe politikanë konsiderojnë se modeli aktual shpesh ka sjellë tensione dhe pazare politike mes partive.






