Rasti i 5-vjeçarit nga Janjeva e Lipjanit, i cili u dërgua në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore, ka tronditur opinionin publik.
Për këtë ngjarje të rëndë u diskutua në studion e emisionit “Ora 7” në Klan Kosova.
Gazetarja e Kiks Kosova, Bleona Thaçi, e cila ka qëndruar pranë familjarëve të ngushtë të fëmijës, zbuloi detaje tronditëse nga rasti. Ajo tha se djali i mitur mund të ketë qëndruar me muaj në gjendje të rëndë.
“Jemi takuar me familjarët e ngushtë të kësaj familje. Na kanë treguar për gjendjen e djalit, fjala është për një familje 9-anëtarëshe. Janë edhe 7 fëmijë të tjerë, nga mosha 13 e më poshtë. Familja ka qenë e njohur për organet e rendit. Nëna para disa viteve ia ka çarë kokën edhe njërit prej fëmijëve të tjerë, QPS atë kohë ia mori fëmijët, por prapë janë rikthyer tek familjar. Nëna ka probleme psiqike. Djali ka qenë në një dhomë të errët në një gjendje të tmerrshme. Sipas mjekëve, gjendja e këmbëve nuk bëhet për pak muaj, por mbi 5 muaj ose me vite. Plagët janë të vjetra. QKUK e ka cilësuar si gangrenë. Ka qenë edhe nën peshë për shkak të kequshqyerjes. Fëmija nuk ka lindur me këtë problem, ka qenë i shëndoshë”, tha gazetarja.
Derisa psikologia Antigona Qenaj Sejdiu tha se kjo ngjarje është alarm për shoqërinë se si po trajtohen këto raste në Kosovë.
“Moskujdes edhe i institucioneve sepse kur familja dështon të kujdeset për fëmijët, është obligim institucional që t’i gjendet fëmijës vend strehim. Është situatë e vështirë për krejt publikun e lërë më për fëmijët e asaj familje. Është alarm për ne si shoqëri se si po i trajtojmë rastet”.
Në anën tjetër, sociologia Ambera Kelmendi tha se fajtor është babai i gruas së arrestuar, pasi sipas saj, nuk do duhej ta lejonte të martohej dhe të krijonte familje për shkak të problemeve mendore.
“Kush e ka leju këtë grua me u martu, me kriju familje. Me i bo 7 fëmijë, me çfarë të drejte ka thënë prindi i vet që ajo është e gatshme për të krijuar familje. Nëse nuk ka kontroll mbi fëmijën e vet, mos e merr në qafë edhe dikë tjetër”, deklaroi ajo.



