Një incident i rëndë është shënuar në Ferizaj, ku një person dyshohet se ka goditur me veturë automjetin zyrtar të Policisë dhe më pas ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes. Rasti ka ndodhur më 30 mars 2026 rreth orës 20:00 në zonën e njohur si “Panorama”.
Sipas informacioneve, njësia antidrogë e përbërë nga katër zyrtarë policorë kishte dalë në terren kur kanë vërejtur një veturë të dyshimtë të tipit Golf të ndalur në një parking. Në momentin kur policia është afruar për kontroll, i dyshuari Edi Halimi dyshohet se ka reaguar duke e drejtuar veturën në drejtim të automjetit zyrtar dhe duke e goditur atë.
Pas përplasjes, i dyshuari nuk është ndalur, por ka tentuar të largohet me shpejtësi duke mos respektuar urdhrat e policisë për ndalim. Arratisja e tij ka përfunduar me një vetëaksident, ku i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe nuk ka qenë në gjendje të intervistohet menjëherë.
Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë kanë marrë trajtim mjekësor. Në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar.






