Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se të gjitha ndërtimet pa leje në komunë do të rrënohen, duke ftuar pronarët që t’i largojnë vetë objektet përpara se të ndërhyjnë autoritetet. Ai ka shpërndarë në profilin e tij zyrtar fotografi nga demolimi i një ndërtimi në lagjen Mati të Prishtinës, ku shihet se si një banesë pa leje po shkatërrohet.
Rama ka thënë se pronarët kanë mundësinë që brenda afatit paralajmërues të dhënë nga Inspeksioni i Komunës, t’i rrënojnë vetë ndërtesat pa leje dhe të tërheqin materialet e tyre. Ai ka theksuar se kjo duhet bërë në mënyrë që të shmangen pasojat eventuale dhe për të siguruar një qytet më të rregullt dhe të sigurt.
Ky njoftim vjen në një kohë kur autoritetet në rajone të ndryshme kanë shtuar kontrollin ndaj ndërtimeve pa leje dhe kanë kryer aksione të ngjashme të rrëzimit të tyre.



