Barcelona po përgatit një padi ligjore ndaj Real Madridit, në një zhvillim që ka rritur edhe më shumë tensionet mes dy klubeve më të mëdha të futbollit spanjoll.
Sipas raportimeve të mediave sportive, drejtuesit e klubit katalanas kanë vendosur të ndërmarrin hapa ligjorë pas deklaratave dhe akuzave të fundit që lidhen me çështjen e njohur si “Negreira”. Barcelona konsideron se pretendimet e bëra nga kampi madrilen kanë dëmtuar imazhin dhe reputacionin e klubit.
Përplasja mes dy rivalëve është intensifikuar pasi Real Madridi ka dërguar një dosje në UEFA, duke kërkuar masa ndaj Barcelonës lidhur me këtë çështje. Në anën tjetër, zyrtarët e Barcelonës kanë paralajmëruar se do ta ndjekin rastin në rrugë ligjore për të mbrojtur emrin dhe historinë e klubit.
Kjo situatë pritet të ketë jehonë të madhe në futbollin evropian, ndërsa marrëdhëniet mes dy klubeve duket se kanë hyrë në një fazë të re përplasjesh jashtë fushës së lojës.







