Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka nisur operacionin e kërkim-shpëtimit për gjetjen e 25-vjeçarit që dyshohet se u fundos në Liqenin e Batllavës.
Sipas njoftimeve zyrtare, Ekipi i Kërkim-Shpëtimit në ujëra i FSK-së është angazhuar pas pranimit të informacionit nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës dhe do të veprojë në koordinim me institucionet e tjera të përfshira në operacion.
Operacioni po zhvillohet me pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës dhe ekipeve të tjera të emergjencës, të cilat janë angazhuar për lokalizimin e personit të zhdukur.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet po vazhdojnë, ndërsa pritet të publikohen informacione të reja sapo të ketë zhvillime nga terreni.



