Të paktën 18 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një sulmi masiv me raketa dhe dronë që Rusia kreu ndaj kryeqytetit ukrainas, Kievit. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.
Sulmi konsiderohet një nga më të rëndët ndaj Kievit në muajt e fundit. Shërbimet e emergjencës raportuan se disa ndërtesa u goditën drejtpërdrejt, duke shkaktuar shembje të pjesshme dhe zjarre në disa lagje të qytetit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për shtim të mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore, ndërsa liderë evropianë dënuan sulmin dhe kërkuan rritjen e presionit ndaj Rusisë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet, pasi disa persona ende rezultojnë të zhdukur nën rrënoja.



