Policia e Kosovës ka nisur hetimet pas dyshimeve për helmimin e dhjetëra personave në Han të Elezit, ndërsa në kuadër të procedurave do të intervistohen pronarët e dy lokaleve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ndërsa hetimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas autoriteteve shëndetësore, personat e prekur kanë shfaqur simptoma si të vjella dhe diarre, ndërsa institucionet përgjegjëse janë duke analizuar mostrat dhe duke kryer kontrollet e nevojshme epidemiologjike.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe institucionet e shëndetësisë, ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore deri në sqarimin e plotë të rastit.




