Protesta janë zhvilluar në disa qytete të Ukrainës pas vendimit të papritur të presidentit Volodymyr Zelensky për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, një prej figurave më të vlerësuara të qeverisë.
Në kryeqytetin Kiev, qindra qytetarë, kryesisht të rinj, u mblodhën të enjten duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Larg duart nga Fedorov” dhe “Ndalni sabotimin e fitores!”, ndërsa brohorisnin “Turp!”.
Vendimi i Zelenskyt ka shkaktuar reagime të forta mes analistëve, ushtrisë dhe një pjese të shoqërisë civile. Sipas raportimeve, shkarkimi lidhet me përplasjet e vazhdueshme mes Fedorovit dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi.
Vetë Fedorov bëri të ditur se i kishte propozuar presidentit zëvendësimin e Syrskyit dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Andrii Hnatov.
Nga ana tjetër, Zelensky, gjatë një konference për media së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer, pranoi se konflikti mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes kishte qenë “sistematik” dhe se bashkëpunimi mes Fedorovit dhe Syrskyit ishte bërë i mundur vetëm me ndërmjetësimin e tij.
“Kur presidenti më tha se nuk kishte ndërmend ta zëvendësonte Syrskyin, unë i thashë se do të mësoja të punoja me të. Por të gjitha nismat që propozuam u bllokuan,” deklaroi Fedorov, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Ai akuzoi Syrskyin se, në vend që të gjente mënyra të reja për të përballuar Rusinë, kishte kontribuar në përçarjen e vendit.
Në një reagim të shkurtër në Telegram, Syrskyi tha se ishte krenar për mbrojtjen e Kievit në vitin 2022, kur forcat ruse iu afruan kryeqytetit, dhe shtoi se do të vazhdojë të fokusohet te lufta dhe strategjia ushtarake, duke i uruar Fedorovit suksese në të ardhmen.
Mykhailo Fedorov, 35 vjeç, ishte emëruar ministër i Mbrojtjes vetëm në janar. Gjatë mandatit të tij ai u vlerësua për përshpejtimin e reformave në ministri, luftën kundër korrupsionit dhe përdorimin e analizës së të dhënave për të përmirësuar efektivitetin e forcave ukrainase në front.
Parlamenti ukrainas pritet të votojë për pasuesin e tij. Një nga emrat e përfolur është ministri aktual i Brendshëm, Ihor Klymenko, megjithëse Zelensky tha se ende nuk është paraqitur një propozim zyrtar dhe se po shqyrtohen edhe kandidatë të tjerë.
Si pjesë e riorganizimit të qeverisë, parlamenti miratoi edhe emërimin e ish-drejtuesit të kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit, Serhiy Koretsky, në postin e kryeministrit, pas dorëheqjes së Yuliia Svyrydenko në fillim të kësaj jave.


