Gabriel Perez, ish-teknik i teleprompterit në Shtëpinë e Bardhë, është urdhëruar të paguajë gjithsej 172,539 dollarë pasi përdori informacionet konfidenciale për fjalimet e Donald Trumpit për të vendosur baste në platformën Kalshi.
Sipas Komisionit Amerikan për Tregtimin e Kontratave të Ardhshme të Mallrave (CFTC), Perez kishte qasje paraprake në fjalimet e Trumpit dhe, mes dhjetorit 2025 dhe shkurtit 2026, vendosi baste mbi fjalët dhe frazat që presidenti do të përdorte gjatë fjalimeve.
Nga këto transaksione, Perez përfitoi 107,539.02 dollarë, shumë të cilën tani duhet ta kthejë. Përveç kësaj, ai duhet të paguajë edhe një gjobë civile prej 65 mijë dollarësh.
Perez është ndaluar gjithashtu të tregtojë në këto tregje për tre vjet. CFTC tha se gjoba ishte reduktuar për shkak të bashkëpunimit të tij me hetimin.
Aktiviteti i pazakontë ishte zbuluar nga Kalshi, platforma ku përdoruesit mund të vendosin baste mbi fjalët ose temat që do të përmenden në fjalimet publike. Rasti më pas iu raportua autoriteteve federale.
Perez ishte vendosur në pushim administrativ pa pagesë pasi rasti u bë publik dhe tashmë nuk punon më në qeverinë amerikane.







