Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor, me një fokus më të madh në stabilitet, siguri dhe interesat ekonomike, ndërsa periudha e angazhimit të drejtpërdrejtë në ndërtimin e shteteve nga jashtë po konsiderohet e përfunduar.
Sipas analizave të publikuara lidhur me politikën e re amerikane në rajon, Uashingtoni synon që vendet e Ballkanit të marrin më shumë përgjegjësi për zhvillimin institucional dhe zgjidhjen e sfidave të brendshme.
Kosova përmendet si një nga vendet që mund të ndikohet nga kjo qasje e re, duke pasur parasysh rolin historik të SHBA-së në proceset politike dhe të sigurisë pas luftës së vitit 1999.
Në këtë kuadër, prioritetet amerikane në rajon lidhen më shumë me stabilitetin, partneritetet strategjike, sigurinë, energjinë dhe bashkëpunimin ekonomik.
Ndryshimi i kursit amerikan ka nxitur debate të shumta në Kosovë dhe rajon, veçanërisht për mënyrën se si mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërkombëtare, dialogun Kosovë–Serbi dhe rolin e faktorëve të jashtëm në zhvillimet politike.







