Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka komentuar situatën e krijuar rreth Kombëtares pas vendimit të Amir Rrahmanit për të mos qenë pjesë e ekipit për sa kohë që udhëheqja aktuale e Federatës së Futbollit të Kosovës mbetet në detyrë.
Foda ka kërkuar që zhvillimet të mos dramatizohen, duke kundërshtuar raportimet se një numër i madh futbollistësh të tjerë janë të gatshëm t’i bashkohen bojkotit.
“Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, citohet Foda në materialin e publikuar nga IndeksOnline.
Raportimet për një bojkot më të gjerë u përhapën pasi Rrahmani njoftoi publikisht se nuk do të jetë pjesë e Kosovës për sa kohë që udhëheqja aktuale e FFK-së vazhdon detyrën. Në disa raportime u përmendën edhe emra të tjerë të rëndësishëm të Kombëtares.
Megjithatë, pretendimet për një bojkot të përbashkët nga disa futbollistë nuk janë konfirmuar. Arijanet Muriç dhe Florent Muslija kanë mohuar publikisht se po bojkotojnë Kombëtaren, ndërsa Hibrid.info e ka vlerësuar pretendimin për gjashtë lojtarë të tjerë si përmbajtje të paverifikuar.
Muslija ka sqaruar se mungesa e tij lidhet me lëndimin dhe se, nëse do të ishte i gatshëm fizikisht, do t’i përgjigjej ftesës së Kosovës. Edhe nga familja e Muriçit është mohuar që portieri të ketë marrë vendim për bojkot.
Kosova po përgatitet për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve, ndërsa situata rreth kapitenit Rrahmani dhe raporteve mes disa futbollistëve dhe drejtuesve të FFK-së vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.







