Këngëtari Labinot Tahiri ka bërë të ditur se sonte do t’i bashkohet protestës së thirrur në Prishtinë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka njoftuar se në protestë do të jetë së bashku me familjen e tij.
“Shihemi sonte në protestë aty në Prishtinë nga ora 20:00”, ka shkruar ai.
Tahiri ka thënë se nuk dëshiron të qëndrojë në shtëpi në një moment të tillë, duke kujtuar se Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij kishin marrë pjesë dikur në protesta për lirimin e shqiptarëve që mbaheshin në burgjet e Serbisë.
Në reagimin e tij, ai ka bërë thirrje që protesta të zhvillohet pa dëmtuar institucionet e Kosovës dhe ka përkrahur mesazhin e Nasim Haradinajt për ruajtjen e qetësisë.
“Mos t’i kallim institucionet tona, por t’u kërkojmë deputetëve, Qeverisë dhe opozitës të bëhen bashkë dhe të bëjnë diçka për çlirimtarët tanë”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka shtuar se nuk dëshiron që tubimi të shndërrohet në përplasje partiake, duke kërkuar unitet mes qytetarëve.
“Sonte nuk e fyej as Albin Kurtin dhe askënd. Sonte dua unitet të përbashkët”, ka shkruar ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë “pa dallime, pa parti, pa inate”.
Protesta e mbrëmjes është paralajmëruar të nisë zyrtarisht në orën 21:00 në sheshin “Skënderbeu”, me moton “Jo në emrin tim”. Tahiri ka njoftuar se ai do të jetë aty që nga ora 20:00.







