Tre peshq të llojit “Ballgjëri” janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badocit, duke ngritur shqetësime për gjendjen e mjedisit ujor. Rasti është bërë i ditur nga Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi”.

Sipas shoqatës, dy prej peshqve të gjetur vlerësohet të kenë peshë rreth 40 kilogramë secili, ndërsa i treti besohet se peshon mbi 50 kilogramë.

Pas informatave nga terreni, ekipi i shoqatës ka dalë në vendngjarje për verifikimet e para. Inspektimi është ndërprerë përkohësisht për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të shiut, ndërsa verifikimet pritet të vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e ngordhjes së peshqve.

Shoqata ka ngritur shqetësime edhe për sjelljen e pazakontë të kësaj specieje. Sipas saj, “Ballgjëri” zakonisht qëndron në ujëra më të thella dhe nuk frekuenton zonat e cekëta. Njëri prej peshqve ishte filmuar vetëm tri ditë më parë i gjallë në një zonë me thellësi rreth një metër.

Deri më tani nuk është konfirmuar shkaku i ngordhjes dhe nuk ka një përfundim zyrtar se problemi lidhet me cilësinë e ujit. Shoqata ka bërë të ditur se do ta informojë publikun pasi të përfundojnë verifikimet në terren.